Ish-mesfushori i Milanit, Rade Krunic ka folur pas ndeshjes që ekipi i tij Crvena zvezda humbi 2-1 në Champions përballë “Djallit”. Mesfushori boshnjak shprehet shumë i zhgënjyer nga kjo humbje, teksa thekson se ai dhe shokët e ekipit janë larguar me kokën lart nga “San Siro”.
“Ishte vërtetë një zhgënjim i madh për ne. Ne dhamë gjithçka që kishim kundër një kundërshtari të fortë. Ne ishim ata që luajtëm mirë edhe kundër Interit, pavarësisht se bëmë disa gabime të vogla. Edhe kundër Milanit ne bëmë maksimumin dhe largohemi nga stadiumi me kokën lart dhe krenari”, është shprehur Krunic.
Kujtojmë që boshnjaku ka qenë pjesë e Milanit prej vitit 2019 deri në atë 2024. 31-vjeçar gjithashtu ishte një nga protagonistët në titullin e fundit kampion që “Djalli” fitoi.