
Trajneri shqiptar i Legias së Varshavës, Besnik Hasi, ka shansin e madh të karrierës së tij për të kualifikuar Legian në grupet e Champions që në muajt e parë të drejtimit.
Legia në turet kualifikuese dhe në kampionat ka treguar që ka probleme dhe nuk është në formën më të mirë, por shorti i fazës play-off është treguar zemërgjerë me skuadrën polake.
Kundërshtari i Legias do të jetë kampioni i Irlandës, Dundalk, në letër skuadra më e dobët e kualifikuar në këtë fazë.
Hasi ka drejtuar më parë në fazën e grupeve të Champions League edhe belgët e Andërleht, por ata u kualifikuan direkt në grupe si kampionë të Belgjikës, ndërsa arritja me Legian është më e vështirë pasi e nis garën në turin e dytë kualifikues, njësoj si ta nisësh me kampionët e Shqipërisë.