
Kampionati shqiptar shpesh ka treguar se prodhon talentë, madje lojtarë që në klube të ndryshme të Europës do të ishin titullarë. Mënyra se si menaxhohen është shumë e rëndësishme për të gjithë. Superiorja vitet e fundit ka vuajtur shumë veçanërisht për sulmues “rrace” që quhet në zhargonin e përditshëm.
Mundësitë nga vendi janë të pakta dhe të detyruar kanë hedhur sytë përtej kufijve. Por, si të mos mjaftonte kjo, futbollistët më në formë apo që bëjnë një sezon relativisht të mirë, kërkojnë menjëherë largimin nga Shqipëria. Mes tyre dhe menaxherëve është dëgjuar shpesh të thuhet: “Më ka kërkuar të bëj 10 gola dhe do të më çojë te një skuadër në Europë”. Rastet për t’i ilustruar nuk mungojnë.
Mirëpo për t’iu përmbajtur fabulës, pa cënuar asnjërin futbollist, po analizojmë mendësinë e gabuar në vendin tonë. Dëshira e të gjithëve është të provosh më mirë, por fillimisht duhet të piqesh dhe maturohesh. Europa është e bukur, por jashtëzakonisht e vështirë. Atje luajnë “dhëmbët” vetëm po luajtën këmbët.
Të rritur me mendësinë jashtë Shqipërie, rastet analoge kanë treguar se kanë dëmtuar karrierën e tyre. Janë detyruar të kthehen sërish në kampionatin shqiptar por me një formë krejtësisht regresive. Në këtë mënyrë në Europë transferohen, por nuk zënë dot minuta në formacion. Dëmtojnë karrierën e tyre dhe sigurisht varfërojnë cilësisht Kategorinë Superiore. /Newsport.al/