
Teksa pritej që në fushën e lojës ta niste nga minuta e parë Jasir Asani, Ilir Daja duket se do i befasojë të gjithë. Trajneri kryeqytetas është fanatik i formacionit fitues dhe edhe këtë radhë ka zgjedhur ta lërë mëngjërashin në stol. Burime pranë klubit të kuq bëjnë me dije që e njëjta gjë do të ndodhë edhe me William Cordieron, lojtarin brazilian që ka qenë protagonist në derbet e sezonit të shkuar. Ai është i detyruar ta nisë takimin nga stoli, pasi trajneri Ilir Daja u ka besuar nga minuta e parë të lojtarëve që triumfuan 4-0 ndaj Skënderbeut.
Kësisoj në portë do të jetë i përhershmi Alban Hoxha, ndërsa para tij do të rreshtohet katërshja: Idrizaj në të djathtë, Bitri dhe Belica në qendër, ndërsa Hakaj në të majtë. Edhe në këtë takim trajneri 54-vjeçar do të luajë me dy gjysmë-diga ose siç i quan ai dy gjysmë ekrane, si Kote dhe Broja. Ata do të bëjnë :urën e lidhjes: me mesfushën, ku në të djathtë do të pozicionohet Mala, në të majtë Theophilus Solomon, ndërsa në qendër Jurgen Bardhi, i cili do të mbështesë Lucas Cardoson në majën e sulmit. /Retin TOKA/