
Skuadra e Tiranës po përgatitet maksimalisht për ndeshjen e javës së ardhshme kundër Young Boys, e vlefshme për fazën "Play-Off" të Europa League. Bardheblutë janë stërvitur nën urdhrat e Emanuel Egbo-së, ndërsa Idriz Batha vijon të shqetësojë stafin teknik. Mesfushori gjirokastrit ka ndjerë sërish dhimbje në këmbën e tij duke e detyruar të qëndrojë jashtë stërvitjes. Sipas mjekëve, kapiteni i Tiranës do të jetë i gatshëm për transfertën zviceriane.
Si të mos mjaftonte Batha, ditën e djeshme është dëmtuar tjetër lojtar që pritej të bënte diferencën. Bëhet fjalë për Gyamfin, afrikanin e ardhur në këtë merkato vere te Tirana. Ai ka pësuar një tërheqje në kofshë që do ta lërë jashtë fushës për të paktën 10 ditë. Kësisoj, 19 vjeçari s'do të jetë gati për sfidën e Europës ndaj Young Boys.