
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka ka folur për Euronews Albania. Kreu i futbollit në vend ka cekur edhe temën e legalizimit të basteve sportive, që sot luhen në të zezë pas mbylljes së tyre me ligj në 1 janarin e 2019.
Duka ndër të tjera thekson se taksat që do mblidhen prej tyre të jenë një e ardhur për sportin dhe futbollin.
“Fakti është që bastet sportive në Shqipëri luhen dhe nuk është iniciativa jonë për të hapur bastet në Shqipëri. Ajo që kemi kërkuar, përderisa jemi para një fakti që një aktivitet i paligjshëm, pa taksa, pse mos të jenë ligjore, të legalizohen.
Një pjesë e tyre të shkojnë për një të mirë publike që është sporti. Për ne është mirë që të marrim një pjesë e të ardhurave. Kur jemi para faktit që ky aktivitet ekziston, padyshim që jam insistues që futbolli të marrë pjesë të të ardhurave”, tha Duka.