I ftuar në emisionin “Kampionët” në TV Klan, ish-trajneri i Partizanit, Skënder Gega është ndalur të flasë edhe për Ylber Ramadanin. Duke qenë se të dy ishin në panelin e emisionin, Gega nuk ka kursyer elozhet për mesfushorin e Kombëtares shqiptare, duke theksuar se nuk ka pasur fatin të punojë me të te Partizani.
“Për Ramadanin, fjalët janë të pakta. Ky është një person dhe një lojtar që gjithmonë ka folur pak. E kanë paragjykuar. Ka ardhur nga pjesa tjetër e Shqipërisë që është Kosova, se nuk themi dot kosovar, por shqiptar i Kosovës. Ka ardhur në Tiranë me përpjekje, me sakrifica. Ka gjetur rrugën e tij, falë punës. Edhe me Kombëtaren, sidomos në elimintoret, ka qenë i jashtëzakonshëm.
Për çdo trajner, mënyra se si luan, është i domosdoshëm, pasi është njeri që mban balancat brenda fushës, me aq sa njoh edhe jashtë fushe. I vuri vulën në Itali, sepse atje nuk ka mik. Unë nuk kam pasur fatin që të jem me të, pasi vitin që shkova unë, Ramadani u largua nga Partizani. Por, kam dëgjuar fjalët më të mira, kam qenë gjithmonë mbështetës i tij”, ka thënë Skënder Gega.
