Nuk është e vështirë që të gjesh lojtarë, por te Vllaznia po ia vështirësojnë punën vetes. Dhjetëra lojtarë të ardhur në provë që nga data e nisjes së përgatitjeve për sezonin 2016/2017, por ende asnjë nga të huajt nuk është konfirmuar.
Kështu, Vllaznia ende nuk ka gjetur rrugën e duhur për të bërë merkaton dhe për të nisur zyrtarisht fazën përgatitore. Nga porta në sulm çdo gjë duket se është në provë, aq sa edhe ata që janë me kontratë, po iu duket vetja se janë në provë.
Janë larguar portieri malazez Nemanja Scekiç dhe sulmuesi Ognjen Roloviç si dhe sulmuesi tjetër Aleksandar Rakiç, i cili qëndroi disa javë në provë, por që nuk i dhanë kontratë. Largimi i tyre nuk ka qenë problem, sepse sa për numër Vllaznia i ka zëvendësuesit, ka marrë sulmuesi brazilian Leonardo Belmanin dhe Dzmitry Rekish, bjellorus, që luan në rolin e mesfushorit me tipare sulmuesi.
Të dy lojtarët, braziliani 21-vjeçar që vjen nga kategoritë e ulëta të futbollit italian dhe bjellorusi 26-vjeçar duhet të tregojnë veten përpara trajnerit Armando Cungu për ta bindur atë për të ardhmen. Në rast se kalojnë provën, ata do të jenë pjesë e Vllaznisë.