
Juventusi ka kthyer menjëherë vëmendjen te skuadra e Monzës, me “Zonjën e Vjetër” që ka nisur përgatitjet për këtë duel. Në konferencën për shtyp në prag të këtij takimi, Missimiliano Allegri i “trembet” Monzës.
Trajneri i bardhezinjve theksoi se Monza është skuadra e vetme që i ka mposhtur 2 herë në sezonin e kaluar, ndaj e kosideron një sfidë të komplikuar. Ndër të tjera nënvizoi se pavarësisht se mund të fllitet për titull nga tifozët, sërish thekson se objektivi mbetet Champions.
“Monza është e pamposhtur në shtëpi, është e vetmja skuadër e cila në sezonin e kaluar na ka marrë gjashtë pikë dhe që nuk arritëm t’iu shënonim. Do të ishte një gabim i madh nëse nuk i japim rëndësi ndeshjes ndaj Monzës, Juventus i njeh mirë limitet e tij. E dimë gjithashtu që jemi edhe në një pozitë të mirë në klasifikim. Kemi edhe gjashtë ndeshje deri në fundin e fazës së parë, nga këto katër janë në transfertë, ndaj është shumë shpejt për të dalë në përfundime.
Nuk e di se çfarë mendon skuadra për titullin, por unë nuk dëgjoj bisedat që bëjnë lojtarët në dhomat e zhveshjes. Nuk marr pjesë në ato bisedime. Klasifikimi ndërtohet ndeshje pas ndeshje, objektivi minimal është kualifikimi në Champions. Këtë sezon që mbetëm jashtë Champions u dëmtuam shumë në aspektin teknik dhe financiar.
E ardhmja? Kam një kontratë deri në vitin 2025 dhe kam gjithashtu një raport shumë të mirë me drejtuesit e klubit. Po punojmë për të ndërtuar Juventusin e së ardhmes. Tek Juventus kam mësuar se njerëzit kalojnë dhe zëvendësohen, por ajo që mbetet e njëjtë është ADN-ja e klubit. Mjafton të qëndrosh i qetë dhe të fokusohesh te puna”, ka përfunduar Allegri.