
Ditën e nesërme duke nisur që nga ora 21:00, Juventusi dhe Interi do të përplasen mes tyre në “Allianz Stadium” në sfidën gjysmëfinale të Kupës së Italisë. Një duel që pritet të jetë i luftuar mes dyja ekipeve, të cilët kërkojnë edhe finalen.
Në prag të kësaj përballjeje ka folur në konferencën për shtyp trajneri Missimiliano Allegri, i cili ka deklaruar se me Interin ka një bilanc pozitiv këtë sezon, por përsëri zikaltërit mbeten të frikshëm në sulm.
“Na pret një ndeshje kundër një skuadre të fortë që vjen pas disa humbjeve dhe do t’i duhet të reagojë. Jemi mësuar të luajmë çdo tre ditë dhe duhet të vazhdojmë në këtë kompeticion për të mbushur ditët edhe në muajin maj, duhet të qëndrojmë në Kupë, Kampionat dhe Europa League.
Bëhet fjalë për një ndeshje gjysmëfinale dhe për Juve-Inter, nuk mund të bëhen parashikime. Duhet të krijojmë kushtet e duhura për të kaluar në finale dhe e rëndësishme është të tregohemi të vëmendshëm në fushë sepse shumë elozhe bëjnë dëm. Inter nuk po kalon një moment të mirë dhe këto skuadra janë të rrezikshme.
E vërtetë se kemi një bilanc pozitiv me Inter duke fituar dy përballjet e këtij sezoni. Inter ka një organikë të fortë në sulm. Duhet të shkojmë në finale dhe na duhet ekuilibër sepse unë e urrej entuziazmin e tepërt”, u shpreh Allegri.