
Sot, Instituti i Studimeve Politike ka publikuar raportin mbi punën në parlament teksa ka treguar të vetmen interpelancë të kërkuar nga deputeti Erion Braçe. Theksohet se parimisht se interpelancat kërkohen nga opozita, por ishte mazhoranca ajo që e donte me ngulm të diskutohej në parlament për informalitetin në sport, kryesisht në Federatën Shqiptare të Futbollit.
Ky institut tregon se interpelanca e kërkuar nga Braçe dështoi, pasi kryetari i Komisionit të Ekonomisë e kishte personale me kreun e FSHF-së, Armand Duka. Ja çfarë raporton Instituti i Studimeve Politike:
"NË KATËR MUAJ VETËM NJË INTERPELANCË Gjatë sesionit të fundit parlamentar pati vetëm një interpelancë në parlament, ajo e kërkuar nga deputeti Erion Brace, njëherësh kryetar i komisionit për ekonomi dhe financë. Në traditat parlamentare interpelancat zakonisht janë kërkesa sidomos nga ana e opozitës, por në praktikat tona parlamentare vijojmë të kemi më shumë kërkesa për interpelancë nga mazhoranca sesa nga opozita. Interpelanca e kërkuar nga deputeti me Ministrin e Financave dhe të Ekonomisë Arben Ahmetaj kishte për tematikë "ligjshmërinë nga pikëpamja fiskale në përmbushje të detyrimeve ligjore që rrjedhin nga ligji nr. 8438, datë 28. 12. 1998 "Për tatimin mbi të ardhurat", të ndryshuar", si dhe nga ligji nr. 79\2017 "Për raportin e Federatës Shqiptare të Futbollit".
Pika e parë ka të bëjë me shqetësimin e elektoratit të zonës së deputetit dhe meriton vlerësim ngritja e çështjes në nivelet e debatit parlamentar. Çështja e dytë ka të bëjë me shumë me një raport kritik të hershëm midis deputetit dhe drejtuesve të Federatës së Futbollit. Pavarësisht se problemi i ngritur vijon të jetë shqetësues dhe deklarimet e ministrit e konfirmuan nivelin e lartë informal brenda botës dhe biznesit të sportit, përsëri është e vështirë për të ndarë dhe përcaktuar nëse qëllimi i mirë nuk është ndikuar nga konflikti i personalizuar i deputetit me kreun e Federatës.
Në rastin e parë do të kishim të bënim me një arritje personale të deputetit dhe një akt që duhet vlerësuar, në variantin e dytë është e diskutueshme nëse parlamenti përdoret në interes publik apo në funksion të interesave të tjera jopublike. Element tjetër me rëndësi i kësaj interpelance ishte kritika e deputetit kërkues ndaj ministrit për vonesat e pajustifikueshme në dhënien e përgjigjes.
Për shkak se kemi të bëjmë me një titullar të lartë të mazhorancës në krye të një prej komisioneve më të rëndësishme parlamentare, kritika e mësipërme lë të kuptosh vështirësitë e mëdha që deputetët vijojnë të kenë për të ushtruar si duhet funksionet e tyre për shkak të vonesave në përgjigje, përgjigjeve të paplota dhe standardit kritik që aplikon ekzekutivi ndaj kërkesave të pushtetit ekzekutiv dhe deputetëve si përfaqësues të tij", shkruhet në raportin e publikuar në kanalin zyrtar.