
Sinan Idrizi, pronar me 41 për qind i “Air Albania” ka thënë se fluturimet e kryera gjatë pandemisë nga kjo kompani kanë qenë falas.
Në një moment kur në vend është vendosur të rifillojë futbolli, presidenti i Flamurtarit duket se nuk e ka aspak mendjen te kuqezinjtë që janë me një këmbë në Kategorinë e Parë.
Ai ka folur dhe ka promovuar linjën ajrore “Air Albania” për të cilën është shprehur se ka bërë udhëtime falas për të gjithë personat e kthyer në atdhe gjatë periudhës së pandemisë.
Por ndryshe thonë pasagjerët që kanë fluturuar për t’u kthyer në atdhe. Ata shprehen se kanë paguar shuma të majme, në disa raste edhe 200 euro, për një vend në “Air Albania”.
“Ne kemi kryer 25 fluturime falas gjatë pandemisë. Na kanë falenderuar edhe ambasadat që kemi çuar të huaj”, tha Idrizi në emisionin “Opinion”.
Por gazetari Blendi Fevziu tha se qytetarët kanë paguar para për të fluturuar me “Air Albania”.
“Nuk e di çfarë ka ndodhur. Por unë po të them që kanë qenë falas”, tha biznesmeni Idrizi, që aktualisht është nën akuzë për mashtrim me 3.5 milion euro ndaj biznesmenti të njohur turk Adnan Polat.