
“Ai dhe Telushi më ofronin siguri, ndihesha komod kur të dy ishin së bashku në fushë”, këto ishin fjalët e Skënder Gegës i cili me superlativa përshkruante një nga futbollistët fjalë-pak e punë-shumë te Partizani, Ardit Hilën. Prej një sezoni mesfushori elbasanas luan në Kosovë, megjithatë mbetet kampion në fuqi. Kontributi i tij me skuadrën e Partizanit është i padiskutueshëm. Në 27 ndeshje u aktivizua me të kuqtë, 25 prej të cilave nga minuta e parë.
Realizoi 1 gol, ndërsa gjithmonë përmendej vetëm nga analistët sepse puna e tij ishte e padukshme në fushë, por mjaft e rëndësishme. Pikërisht një lojtar të tillë, duket se kampionët këtë vit e kanë vuajtur shumë. Telushi nuk e ka më atë partnerin e tij të mesfushë dhe shpesh herë është detyruar të mbingarkohet duke marrë përsipër çdo rol. 27-vjeçari ka zgjedhur këtë edicionin ekipin e Prishtinës, ndërsa Superiorja duket se e harroi… Por, ka edhe trajnerë që dinë të godasin si Skënder Gega, i cili nga Amerika e largët e risolli edhe një herë në vëmendjen para disa ditësh emrin e mesfushorit elbasanas.