Trajneri i Skënderbeut ka folur mesditën e sotme për sajtin e gazetarit të njohur italian Gianluca Di Marzio, ku ka treguar eksperiencën e tij me Skënderbeun në kampionatin shqiptar, ndërsa ka shkuar më tej, ku bën analizën e Shqipërisë përpara përballjeve me Lihtenshtajn dhe Spanjën, ndërsa ka dhe Italinë në grup.
[caption id="attachment_36394" align="alignleft" width="300"] Moment nga fitorja e Skënderbeut në kampionat ndaj Korabit[/caption]
“Ndjehem mirë. Jam shumë i kënaqur, edhe pse jemi vetëm në fillim. Kampionati shqiptar është shumë i vështirë. Sezonin e shkuar Skënderbeu e fitoi kampionatin vetëm në javën e fundit, për më tepër kundër ishskuadrës sime (Partizanit). Ndaj do të jetë betejë e vështirë dhe duhet të luftojmë fort. Asnjë trajner nuk e pret të jetë me pikë të plota që në fillim, aq më tepër që kam vetëm pak kohë këtu. Megjithatë u nisa me synim për të bërë mirë, edhe sepse skuadra vjen pas gjashtë titujsh rresht. Është një përgjegjësi e bukur", thotë fillimisht Andrea Agostinelli për "gianlucadimarzio.com".
Sipas Agostinellit, Skënderbeu është ekipi me cilësitë më të mira në Shqipëri, ndërsa ka vetëm një kritikë për skuadrën. “Është një skuadër me cilësi të shkëlqyer dhe e plotësuar. Cilësia është pika jonë më e fortë, ndërsa duhet të përmirësojmë finalizimin e rasteve që krijojmë”.
Veçanërisht trajneri i Skënderbeut flet për lojtarin e tij, Liridon Latifin, i cili është thirrur nga Gianni De Biasi në kombëtare. “Ishte në Kombëtaren U21, tani De Biazi e ka marrë në ekipin e të rriturve. Ka plot cilësi dhe mund të ecë edhe jashtë vendit. Është ende i ri dhe ka shumë për t’u përmirësuar”.
[caption id="attachment_38083" align="alignleft" width="300"] Liridon Latifi, lojtari i ri i kombëtares kuqezi[/caption]
Për bashkëkombasin e tij De Biasi, tekniku që ka afërsisht një vit që drejton në Shqipëri thotë. “Gianni ka bërë hapa gjigantë këtu, i hapi Shqipërisë dyert e Europës. Kjo është diçka historike. Futbolli shqiptar po rritet vazhdimisht, dhe në të ardhmen do të përmirësohet akoma më shumë”.
Nuk flet vetëm për futboll, por edhe për jetesën e shqiptarëve, ku Agostinelli shprehet: “Është një vend që deri para pak vitesh përshkruhej shumë ndryshe, por sot është në zhvillim. Do t’i mbaj përherë me vete përzemërsinë dhe qetësinë e njerëzve këtu. Janë njerëz të thjeshtë, që rrojnë paqësisht”.
Serie A është një nga kampionatet që ai ndjek më shumë në TV, teksa thotë se Juventus, Napoli dhe Roma do të rivalizojnë trofeun. “Sigurisht që e ndjek. Mendoj se tre të parat do të jenë ato të përhershmet, pra Juventusi, Napoli dhe Roma. Milanezet po japin shenja rizgjimi, por më pas përgjumen sërish. Nuk kanë shumë vazhdimësi, por besoj se në fund do të jenë mes 56 të parave. Por duhen pasur kujdes edhe Lazio, Torino e Sassuolo, ndërsa Chievo nuk është më surprizë”.
Për të ardhmen italiani nuk preferon të ndërrojë destinacion, teksa e shpreh hapur: “Për momentin jam mirë këtu, ndjehem shumë i kënaqur. Të ardhmes nuk i dihet kurrë, por tani për tani jam mirë kështu”.