
Ish-trajneri i Kombëtares shqiptare, Giani de Biasi ka votuar ditën e sotme, në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit. Trajneri italian voton në Shqipëri, për shkak se ka shtetësinë shqiptare.
Pasi doli nga qendra e votimit në shkollën “Kongresi i Lushnjës”, De Biasi u shpreh se ndihet shqiptar. Ndër të tjera, ish-trajneri i Kombëtares kuqezi tregon se do të jetë në Shqipëri edhe për ndeshjen përballë Serbisë në qershor.
“Ndihem shumë shqiptar dhe sa herë kam mundësi vij, kam bërë pak edhe ambasadorin për të treguar Shqipërinë edhe aty ku nuk njihet shumë.
Të gjithë që kanë në zemër kombin duhet të dalin të votojnë sot. Isha këtu për Giro d’Italia që ishte një mrekulli dhe do të kthehem për ndeshjen me Serbinë.
Me siguri do jetë një ndeshje shumë e veçantë, e vetmja gjë që uroj është të mos bëjmë marrëzira se është një ndeshje futbolli dhe duhet të tregojmë se jemi popull për së mbari”, u shpreh Giani De Biasi.