Kanë kaluar shumë vite, por emri i tij tingëllon shumë i njohur në Shqipëri, sidomos për tifozët e Tiranës. Fjala është për Emmanuele Egbo, i cili ka qenë së fundmi i ftuar në emisionin “Andale Sport” në kuadër të Botërorit, aty ku ka ndarë edhe një histori interesante se si nigeriani ishte shumë pranë pjesëmarrjes në këtë turne në vitin 2002, por gjithçka u prish për shkak të një vendimi që mori vetë federata.
“Ëndërr që të shkoje në Botëror? Kam patur mundësinë të shkoja në Botëror në vitin 2002. Nuk kam shkuar. Kam qenë në Kombëtare dhe kemi mbaruar Kupën afrikane dhe atëherë dhe me atë grup do të kishim shkuar në Botëror 2002.
Madje kam shkuar në Korea për të bërë një ndeshje miqësore. Mirëpo, dy muaj më përpara e shkarkuan trajnerin dhe nuk pata fat”, tha Egbo.
Kujtojmë se me bardheblutë, ish-trajneri fitoi titullin në Superiore në sezonin 2019-2020, ndërsa ka arritur të fitojë edhe një Superkupë me Prishtinën në Superligën e Kosovës.
Sa i takon karrierës si futbollist, Egbo e nisi në Julius Berger, ndërsa më pas kaloi te egjiptianët e El Marsy, përpara se të transferohej në kryeqytet te Tirana, ku fitoi tre trofe të rëndësishëm, dy tituj në sezonin 2002/03 dhe 2003/04, si edhe Kupën e Shqipërisë në 2001/02.
