
Administratori i Klubit të Futbollit Vllaznia sh.a, Astrit Gjyrezi, ka shprehur mendimin e klubit për thashethemet e përhapura pas takimit me korçarët. Sipas tij, Vllaznia nuk ka luajtur asnjëherë teatër në këtë sezon.
“Vllaznia nuk ka toleruar në asnjë moment të këtij takimi. Nuk ka vend për teatër. I kam parë pa asnjë përjashtim të mërzitur në maksimum të gjithë lojtarët e ekipit. Ishte një përballje që nuk mund të baltoset dhe të luhet me djersën e këtyre djemve për gjëra që ndodhin në futboll. Kemi fituar takime në limite dhe po ashtu u ndëshkuam.
Siç dhe luajtëm nuk e meritonim të humbnim, për të mos thënë se e meritonim një fitore në këtë takim. Të gjithë jemi mërzitur prej kësaj humbjeje, të cilën ende s’e besojmë. Mërzia ka qenë e madhe te të gjithë lojtarët. Kam parë si rrallëherë edhe lot në sytë e tyre”, u shpreh Gjyrezi.
"Pavarësisht deklaratave të momentit të teknikut Cungu për Cicmilin, ne duhet të ndalemi dhe ta shikojmë më mirë rastin e tij. I ndodh çdo lojtari një gjë e tillë. Nuk na shkon mendja te një e qëllimshme. Tekniku e ka gjykuar në aspektin e kërkesave të tij teknike. Ai nuk e ka akuzuar në asnjë moment lojtarin. U ndëshkuam nga gabimet tona.
Por, nëse do të ketë gjë të qëllimshme, unë nuk do t’i thosha as më shumë e as më pak, por vetëm fjalën ‘haram buka që ka ngrënë këto dy vite te Vllaznia’. Nuk duhet të dalim në deklarata të nxituara dhe të nxitemi nga ajo që në ngjau në ato minuta të shtesës. Nuk kemi pasur kohë që të merremi me një gjë të tillë, pasi kemi mbërritur vonë në Shkodër. Megjithatë, do të shikojmë me gjakftohtësi dhe nuk duhet të ngutemi", përfundon ai.