Nuk ka qenë në nivelin që të gjithë e prisnin, por prania e Herald Markut është mjaft deçiziv për Vllazninë. Mesfushori i njohur po jep kontributin e tij për ekipin shkodran teksa në ndeshjen e fundit realizoi një gol mjaft të bukur me të majtën. Tashmë ka arritur në kuotën e 7 golave dhe 8 javë nga fundi, ka mundësi për të vendosur një rekord personal.
Me Vllazninë para dy sezonesh arriti të realizonte 4 herë, ndërsa këtë edicion futbollistik mund të shkojë më shumë. Me trajnerin Mirel Josa e pa veten disa herë të ulej në stol, ndërsa me Sedloskin ka fituar menjëherë vendin e titullarit. 26-vjeçari shkodran në aspektin personal ka zhvilluar sezonin më të mirë dhe këtë e tregojnë numri i golave të realizuar.
Në 27 ndeshje ka shënuar 7 herë dhe ka dhënë edhe 2 asiste. Nëse deri në fund të edicionit do të arrijë shifrën e 10 golave padyshim që vera mund ta largojë larg Shqipërisë. Një mesfushor që realizon në mënyrë sistematike, është e vështirë që të huajt ta lënë të qëndrojë në Superiore. Megjithatë merkato e verës do të tregojë gjithçka.