Pandemia e COVID-19 ka mbërthyer gjithë botën duke marrë shumë jetë njerëzish. Sot, sporti shqiptar ka marrë lajmin e zi teksa mësohet se është ndarë nga jeta, Luigj Preçi.
Ish-fotoreporteri i njohur nuk arriti të fitonte luftën me Coronavirusin duke mbyllur sot përgjithmonë. Lajmin e bën me dije gazetari sportiv, Defrim Methasani që përmes një postimi në rrjetet sociale shkruan:
"Humbëm sot në mesditë edhe një shok dhe koleg të nderuar, fotoreporterin e njohur Luigj Preçi. Covid i mallkuar po merr çdo ditë jetë njerëzore. Kështu rrëzoi edhe pasionantin e fotografisë sportive, njeriun humanist qê çdo foto e nuk e shiste, por e dhuronte me autograf, vëllai i komentatorit të shquar sportiv dhe zëri tradicional në radio Tirana, Rrok Preçi. Për 60-të vjet me radhë ai vrapoi në fusha dhe stadiume, veçmas pas Partizanit dhe kombëtares që i kishte pikë të dobët. U prehsh në paqe o mik i mirë. Respekt dhe mirënjohje për gjurmët që ke lënë pas".
Stafi i redaksisë së Newsport.al i shpreh ngushëllimet e sinqerta familjarëve për humbjen e të dashurit të tyre.
