
Skënderbeu është skuadra më protagoniste në dy javët e para të “Abissnet Superiore”. Korçarët kanë arritur të grumbullojnë 6 pikë, teksa kanë mposhtur Egnatian në transfertë dhe kanë fituar ndaj Dinamos në shtëpi.
Triumfe këto me rezultatin minimal 1-0, por që tregon se “Ujqërit e Dëborës” janë rikthyer protagonistë në Superiore dhe tashmë janë një skaudër cinike. Ivan Gvozdenovic ka arritur të ndërtojë një skuadër kompakte dhe që të ndëshkon atëherë kur nuk e pret duke shfrytëzuar kështu çdo sekond të lojës.
Dy fitoret e siguruara këtë fillim sezoni na rikthejnë në sezonet e hershme, kur Skënderbeu bënte “ligjin” në kampionat dhe arrinte të shpallej kampion me diferencë ndaj rivalëve. Për të parë dy fitore rresht të korçarëve në kampionat në dy javët e para të Superiores duhet të rikthehemi në vitet 2014/2015 dhe 2015/2016.
Në sezonin 2014-2015 Skënderbeu do të fitonte 1-0 me KF Elbasanin në “Elbasan Arena” dhe siguronte 3 pikët edhe me Laçin në Korçë me shifrat 2-0. Në këtë sezon korçarët do të shpalleshin kampion me 79 pikë, 4 më shumë se Kukësi i vendit të dytë.
Edhe në sezonin 2015-2016 do të kishin këto rezultate. Vllaznia-Skënderbeu 0-1 dhe Skënderbeu-Kukësi 1-0 , teksa do të shpalleshin kampion me 79 pikë, 5 më shumë se Partizani i vendit të dytë.
Shifra këto që tregojnë se Skënderbeu e ka nisur në rrugën e duhur këtë sezon dhe si kurrë më parë është i etur për të tentuar rikthimin te titulli kampion. Mbetet të shihet nëse do t’u mbajnë këmbët për të vazhduar me rezultatet pozitive deri në fund të sezonit.