Kombëtares shqiptare i duhet vetëm 1 pikë në dy ndeshjet e ardhshme për të siguruar kualifikimin në Euro 2024. Kuqezinjtë kanë udhëtuar në transfertë, teksa ditën e sotme do të përplasin “brirët” me Moldavinë.
Një përballje ku djemtë e Sylvinhos do të luftojnë për 3 pikët, pasi kërkojnë të vazhdojnë me ecurinë pozitive, ndërsa tentojnë ta mbyllin grupin si lider. Kombëtarja shqiptare shihet si favorite për shkak edhe të paraqitjeve në këto kualifikuese.
Edhe statistikat e përballjeve mes dy ekipeve në të kaluarën flet në favor të skuadrës tonë. Në 6 duele të zhvilluara mes tyre, kuqezinjtë ia kanë dalë të triumfojnë 5 herë, ndërsa vetëm një takim ka përfunduar në barazim 0-0.
Djemtë tanë kanë shënuar 14 gola, ndërsa kanë pësuar vetëm 2. Triumfi më i thellë është Moldavi – Shqipëri 0-4 e zhvilluar më 14.10.2019 e vlefshme për Euro 2020. Interesant është fakti që barazimin e vetëm që kanë këto dy skuadrat është në miqësore dhe në 5 takimet e tjera zyrtare kuqezinjtë ia kanë dalë të sigurojnë gjithmonë 3 pikët.