
Tirana dhe Partizani do të luajnë sot në orën 18:00 në stadiumin Air Albania për javën e gjashtë të Kategorisë Superiore. Përballja derbi edhe këtë herë do të luhet pa tifozë për shkak të pandemisë. Përballë janë dy skuadra që historikisht për disa dekada me radhe kanë vendosur historinë e futbollit shqiptar, teksa dueli mes tyre është ai I shumëprituri për tifozët, jo vetëm në kryeqytet.
Sot në tapetin e stadiumit do të zbresin 41 trofe, me Tiranën që ka fituar zyrtarisht 25 tituj kampion ndërsa Partizani 16 të tillë. Në vlerë monetare, të dyja skuadrat vlejnë sipas Transfermarkt plot 9.85 milion euro (5 milion euro Tirana dhe 4.85 milion euro Partizani).
Në histori mes dy skuadrave janë zhvilluar 157 takime zyrtare mes Kupës dhe kampionatit, qysh prej vitit 1947. 66 ndeshje janë fituar nga Partizani, 42 nga Tirana dhe 49 të tjera janë mbyllur pa fitues. Demat e Kuq kanë shënuar 220 herë në portën e bardhebluve, kundrejt 175 golave të Tiranës.