40 mijë euro dhe mbyllja e tribunës, UEFA me dorë të "hekurt" ndaj turqve për trazirat në “Air Albania”
Shkruar nga NEWSPORT
Tirana dhe Besiktas u përballën mes tyre në “Air Albania” të enjten e kaluar, sfidë që nisi me 15 minuta me vonesë për shkak të përplasjes së tifozëve 1 minut para se të startonte gjithçka, teksa nuk u ndalën edhe pas sfidës. Ky duel ishte i vlefshëm për turin e dytë të Conference League, me takimin që përfundoi 2-0 në favor të turqve
Tashmë kjo sfidë është nën hetimin e UEFA-s, e cila duket se nuk ka vonuar për të marrë edhe vendimet e para. Ka qenë vetë klubi turk që ka bërë publike vendimet ndaj tij, teksa bëhet me dije se UEFA u ka vendosur një gjobë të madhe. Por organi më i lartë i futbollit është treguar “zemër” mirë me Musuakun i cili u ndëshkua me karton të kuq, por do të ketë vetëm 1 ndeshje pezullim.
“Pezullimi për futbollistin tonë Artur Masuaku, i cili mori një karton të kuq në ndeshjen ndaj Tiranës, u reduktua nga 2 ndeshje në 1. Në këto kushte lojtari do të jetë i gatshëm për ndeshjen e dytë që skuadra do të luajë kundër Neftçi Baku në turin e tretë kualifikues të Ligës së Konferencës.Për më tepër, për shkak të ngjarjeve në tribunën e miqve gjatë ndeshjes ndaj Tiranës, klubi ynë u gjobit me 40 mijë euro dhe është mbyllur tribuna e tifozëve udhëtues për një ndeshje. Por ky penalitet i fundit u pezullua për dy vite dhe do të hyjë në zbatim nëse shkeljet do të përsëriten”, shkruante klubi i Beshiktashit.
Me “ankth” pritet edhe vendimi që do të merret ndaj Tiranës si vend organizator, teksa edhe tifozët bardheblu ishin pjesë e trazirave në këtë takim.