
Shqipëria do të luajë në datën 7 shtator ndeshjen e radhës të vlefshme për kualifikueset “EURO 2024”. Kuqezinjtë tanë do të udhëtojnë në transfertën e vështirë të Çekisë, ku do të përballen në Pragë me kombëtaren çeke.
Në një njoftim të bërë në kanalet zyrtare të komunikimit, Federata Shqiptare e Futbollit ka lajmëruar se kanë dalë në shitje biletat për këtë takim. Ato mund të gjenden në websiten zyrtar të FSHF-së dhe kushtojnë 30 mijë lekë të vjetër.
Për këdo që është i interesuar për të ndjekur në Çeki nga afër përfaqësuesen tonë mund të bëjë të veten biletën për çmimin e mësipërm. Ndeshja Çeki – Shqipëri është programuar të luhet në datën 7 shtator, ora 20:45 në stadiumin “Fortuna Arena” në Pragë.
Kujtojmë që kombëtarja jonë gjendet në vendin e dytë me 6 pikë në Grupin E, 1 më pak se Çekia kryesuese. Shanset për një kualifikim të mundshëm në Gjermani janë të mëdha. Ndaj kushdo që ka dëshirë duhet të nxitojë për të blerë biletën për në Pragë.