
Java që lamë pas ishte e mbushur me plot suksese për Tiranën. Klubi bardheblu siguroi dy Kupa në finalet e moshave U17 dhe U19, duke dominuar ndaj Partizanit dhe Shënkollit. "Shuplaka" që ekipi A i dha Partizanit në ndeshjen derbi të së premtes ishte qershia mbi tortë. Gjithçka nisi të hënën e kaluar, me ekipet B të Partizanit dhe Tiranës që u përplasën në kuadër të Kategorisë së Dytë. Barazim 1-1 dhe një lojë e luftuar. E mërkura solli triumfin e madh për djemtë e Migen Memellit, që triumfuan bindshëm 4-0 ndaj U17 së Partizanit, duke ngritur trofeun e Kupës në finale.
Dy derbi në pak ditë që do i hapnin rrugë "qershisë mbi tortë". Bardheblutë shënuan një fitore historike 5-1 në "Air Albania" kundër kampionëve në fuqi të Partizanit, duke vijuar kryesimin e Kategorisë Superiore. Java bardheblu do të përmbyllej dje, teksa U19 e drejtuar nga Bledar Devolli fitoi sërish një finale Kupe, duke mposhtur 3-2 Shënkollin. 2 Kupa, paraqitje dinjitoze dhe një "shuplakë", në javën që foli për ngjyrat bardheblu.