
Kukësi është kualifikuar në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë, teksa mposhti pas “ruletës ruse” Partizanin. Një fitore e rëndësishme për verilindorët, e cila i motivon për sfidat e radhës në kampionat dhe jo vetëm.
Tashmë në Kukës i gjithë fokusi është te dueli i ditës së sotme që do ta luajnë në shtëpi ndaj Laçit. Bledar Devolli ka punuar shumë me ‘djemtë’ e tij për t’i rikthyer te fitorja në kampionat, e cila iu mungon prej 16 ndeshjesh.
Sigurisht kualifikimi në Kupë i motivon lojtarët dhe stafin për të arritur te fitorja ndaj kurbinasve dhe në këtë mënyrë 3 pikët janë mëse të detyrueshme. Një fitore që do të vlejë shumë pasi në Kukës kërkojnë të shmangin rënien në Kategorinë e Parë, teksa situata pas çdo ndeshjeje vështirësohet.
Aktualisht Kukësi mban vendin e 10-të në klasifikim me 19 pikë pasa 26 javësh. Verilindorët ndodhen 7 pikë pas Erzenit dhe 9 pikë pas Teutës që ndodhet në “Play-Out”. Kujtojmë se Kukësi – Laçi do të luhet ditën e hënë në orën 14:00 në “Kukës Arena” dhe është i vlefshëm për javën e 27-të të Superiores.