Tirana feston këtë vit 100-vjetorin e themelimit. Bardheblutë ndodhen në vend të parë në Kategorinë Superiore dhe janë pranë titullit kampion. Një ecuri fantastike me Egbo në pankinë ku deri më tani nuk njohin asnjë humbje dhe vetëm pandemia e Covid-19 arriti t’i ndalte bardheblutë dhe futbollin në Shqipëri. 10 ditë më parë klubi në rrjetet sociale bëri një sondazh për tifozët për të zgjedhur lojtarin e shekullit. Pak minuta më parë klubi Tiranës bën me dije se nga votat e tifozave është zgjedhur ikona Arben Minga.
Postimi i Tiranës:
Një shekull histori dhe një numër shumë i madh ikonash bardheblu. Një çmim është shumë pak dhe të shumtë do të jenë emrat që do të vlerësohen në festën e 100 vjetorit. Jo vetëm kaq por cilido që ka kontribuar për fanellën bardheblu do të ketë një vend në historikun e ditëve festive që klubi ka planifikuar.
10 ditë më parë propozuam të zgjidhnin tifozët lojtarin e shekullit bardheblu. Emrat e shënuar në mediat sociale kanë qënë të shumtë, si dhe propozimet për të mos u mjatuar vetëm me një emër. Me të drejtë, pasi 100 vite histori kampionësh janë shumë.
Megjithatë, ky çmim simbolik meriton të jepet pasi tifozët i janë përgjigjur propozimit dhe kanë zgjedhur të preferuarin e tyre. Arben Minga është më i votuari ndër më të preferuarit e shekullit bardheblu.
Në ditët e festës së 100 vjetorit, çmimi për ikonën “15-katëshi Minga”, do të jepet pas përzgjedhjes së bërë nga tifozët.
Ju falenderojmë dhe urojmë të jeni mirë e të rikthehemi sa më shpejt sëbashku.
