Albi Doka dhe Vasil Shkurtaj duken se do të largohen nga skuadrat respektive, Tirana dhe Kukësi. Mbrojtësi i linjës së djathtë të bardhebluve ka arritur një marrëveshje në Kroaci, ndërsa sulmuesi i verilindorëve s’ka pranuar të rinovojë. E ardhmja e tyre duket se është larg Shqipërisë. Asgjë s’ka zyrtare dhe në ditët në vijim pritet të mësohet gjithçka.
Të dy kanë pasur shumë minuta në këmbët e tyre përgjatë këtij sezoni. 22-vjeçari i Tiranës është aktivizuar në 21 ndeshje duke qenë në formë të mirë në linjën e djathtë, ndërsa Shkurtaj në 22 të tilla teksa ka arritur të realizojë plot 16 gola. Ai është në rrugën e duhur për t’u shpallur golashënues i këtij edicioni futbollistik.
Largimi i dy lojtarëve me parametra 0 prek dhe dëmton shumë arkat e dy klubeve. Bardheblutë e rritën dhe e promovuan mbrojtësin e linjës, ndërsa Kukësi arriti të godiste në shenjë me afrimin e Shkurtajt nga Luftëtari për të cilin shpenzoi duke i blerë kartonin.