
Ky sezon është më i dobëti për Kukësin në Superiore. Verilindorët si asnjëherë më parë nuk kanë mundur të sigurojnë asnjë pikë në 4 javët e para të kampionatit.
Verilindorët e nisën sezonin me Rraman Hallaçin në stol, me timonieri kuksian që u largua pas javës së dytë. Në krye të skuadrës erdhi Stavri Nica, eksperienca e të cilin bën që tifozët të ëndërrojnë se Kukësi do të ringrihet.
Por as Nica duket se nuk po u bën “derman” një ekipi që ka humbur “busullën” e orientimit. Mbrojtja është një nga defektet e kësaj skuadre, e cila në 4 ndeshje kanë pësuar 11 gola, më shumë se çdo ekip tjetër. Ndërkohë kanë mundur të gjejnë rrugën e rrjetës vetëm 3 herë.
Statistika këto që tregojnë shumë për Kukësin e këtij sezoni. Sfida e radhës do të jetë ndaj Skënderbeut në Korçë. Takim ky që do të luhet ditën e shtunë duke nisur që nga ora 18:00.
Jemi mësuar që këto dy ekipe të dhurojnë spektakël në Superiore, por këtë sezon diçka e tillë duket e largët. Kukësi dhe Nica kanë detyrim “zgjimin” e skuadrës nga ky gjumi “letargjik” në të cilin ka rënë. Nuk ka kohë për të humbur dhe reagimi duhet të vijë që në sfidën e radhës, në të kundërt gjithçka do të nisë të vështirësohet akoma më shumë.