Klubi i Tiranës ka bërë me dije gjithë emrat e trajnerëve që do të kontribuojnë te bardheblutë në ekipet zinxhire për sezonin e ri futbollistik.
Përmes një njoftimi në kanalin zyrtar tregohen edhe ndryshimet për edicionin e ri futbollistik. Në sy bie ndryshimi i trajnerit te grupmoshat U-19. Arbër Abilaliaj është larguar për t’i lënë vendin Julian Ahmatajt. Ndërsa ndryshe nga sa u tha më parë, Gent Muçës i është besuar Tirana U-14.
“KF Tirana Academy njofton se i ka besuar drejtimin e bankinave të ekipeve të moshave, trajnerëve të mësipërm, ku spikasin emra të njohur për eksperiencat e tyre në Kategorinë Superiore të kampionatit shqiptar si Elton Mucollari, Akil Jakupi, Erald Deliallisi, etj.
Këta emra do të mbajnë postin e trajnerëve përgjatë sezonit të ri 2022/2023.
Tashmë ata do të përcjellin profesionalizmin tek të rinjtë që do të rriten çdo ditë nën drejtimin e më të mirëve. Në kampin e kampionëve”, shkruhet në njoftimin e klubit bardheblu.