
Karl Heinz Rummenigge nuk e fsheh dëshirën e tij që Juventus të fitojë finalen e Champions League kundër Real Madrid.
Zv.presidenti i Bayern Munchen pranon se kampionët e Italisë do të fitojnë trofeun më prestigjioz në Europë për klube.
"Bayern mund të ishte në finale. Gjykimi në sfidën Real Madrid-Bayern Munchen nuk ishte në lartësinë e duhur. Por ne nuk duhet të ankohemi. Ky është futbolli. Por e vërteta është se mund të kishim fituar kundër Realit nëse gjyqtari nuk do të gabonte aq shumë.
Nuk e mohoj se dëshiroj të fitojë Juventusi në finalen e Champions League kundër Realit", tha zv.presidenti i Bayern Munchen sot për mediat italiane nga Firence ku ishte sot së bashku me trajnerin Carlo Ancelotti në prezantimin e një eventi për ngritjen e fondeve të organizuar nga ish-lojtari i Fiorentinës dhe Milani, Giovanni Galli.