
Tijani Reijnders është futbollisti më i ri i Milanit. Mesfushori ende nuk është prezantuar zyrtarisht te kuqezinjtë por ditën e sotme ai ka mbërritur në aeroportin e Malpensa ku ka pozuar edhe me fanellën kuqezi dhe tifozë të çastit.
Në një prononcim të shkurtër për të pranishmit, 24-vjeçari nuk e fshihte gëzimin dhe ëndrrat e mëdha për aventurën e tij te ‘djalli’.
“U thashë po drejtuesve të Milanit që në telefonatën e parë. Ëndërroj të fitoj Champions League dhe Serie A me kuqezinjtë. Ishte një vendim shumë i lehtë për mua të bashkohesha me Milanin”, tha mesfushori.
Milani pagoi 20 milionë euro + 5 të tjera në formë bonusesh në arkat e AZ Alkmaar me lojtarin që do të firmosë një kontratë 4-vjeçare me rrogë 1.6 milionë euro në sezon.