Mentor Mazrekaj është padyshim lojtari më në formë i skuadrës së Laçit. Fantazisti ka bërë një postim në rrjetet sociale ku tregon golin e vetëm të kurbinasve të shënuar në humbjen 4-1 kundër Petrocub. 33-vjeçari shkëlqeu në atë takim, pavarësisht shthurjes së mbrojtjes në 30 minutat e fundit të sfidës.
Për të ka shumë zëra merkatoje, ku përflitet se ekziston dëshira e drejtuesve të Partizanit për ta pasur edhe një herë në organikë. Megjithatë kontrata me bardhezinjtë e mban atë ende të lidhur deri në janar të vitit të ardhshëm. Duket e pamundur që të largohet nga Laçi pikërisht lojtari më në formë i momentit.
Për t’i vënë “kapak” këtyre aludimeve, Newsport.al kontaktoi fantazistin që shkurtimisht deklaroi se nuk kishte asnjë kontakt me drejtuesit e kuq. “Nuk kam pasur asnjë kontakt me askënd nga Partizani”, tregoi ai duke lënë të nënkuptohet se do t’i shërbejë me devotshmëri skuadrës së Laçit. /Newsport.al/
