
Vllaznia luan nesër përballë Besëlidhjes në Loro Boriçi, me takimin që fillon në orën 19.00. Skuadra që fiton, ia del të zotërojë një ''biletë'' për në Superiore. Sot paradite FSHF ka kërkuar nga instuticioneve shtetërore që finalja e Kupës mes Teutës dhe Tiranës, e programuar po nesër në Air Albania, të luhet me tifozë.
Shkodranët nuk kanë qëndruar ''duarkryq'', duke kërkuar që edhe ''finalja'' Vllaznia-Besëlidhja të ketë tifozë. Sipas tyre, kapacitetet e ''Loro Boriçit'' mund të sigurojnë maksimalisht distancën sociale.
Vllaznia shkruan:
-KËRKESË DREJTUAR FEDERATËS SHQIPTARE TË FUTBOLLIT
KF Vllaznia është njohur përmes mediave por edhe përmes faqes tuaj zyrtare, me një kërkesë që Federata Shqiptare e Futbollit i ka bërë instancave shtetërore për ta luajtur me tifozë ndeshjen finale të Kupës së Shqipërisë duke marrë edhe shembullin e Francës, ku finalja e Kupës u zhvillua me tifozë në tribunat pas porte. Në këtë kontekst, do të dëshironim që në kërkesën tuaj ndaj instancave shtetërore të përfshini edhe ndeshjen Vllaznia- Besëlidhja. Vërtetë finalja e Kupës së Shqipërisë është finale, por edhe sfida jonë është një "finale" dhe për më tepër, një ndeshje që pritet me shumë interes nga tifozëritë e të dy ekipeve. Për këtë arsye, kërkojmë nga ana Juaj që përpos dëshirës për të patur tifozë në ndeshjen finale të Kupës, ato të lejohen konform rregullave dhe distancimit edhe në ndeshjen Vllaznia- Besëlidhja. 16 mijë vendet që ka stadiumin "Loro Boriçi" janë një mundësi shumë e mirë që në stadium të ketë një numër të kufizuar tifozësh dhe duke respektuar rregullat e distancimit.
Mbesim me shpresën e plotësimit të kësaj kërkese!
KF VLLAZNIA