
Vllaznia udhëton sot në Austri, ku do vijojë fazën përgatitore në prag të ndeshjes së turit të dytë të Conference League. Lajm i mirë për shkodranët, që kanë mundësinë të zhvillojnë stërvitjen në kushte të tilla komode. Fluturimi sot është me një “peng” për Josën dhe të tijtë.
Liridon Latifi do mungojë në Austri, për shkak se ndodhet me familjen e tij në Kosovë. Problemet e shfaqura së fundmi me shëndetin, kanë bërë që ylli i shkodranëve të rikthehet te të afërmit, deri në momentin që do jetë sërish i gatshëm për fushën e blertë.
Kujtojmë se kuqeblutë do kenë përballë Craiovan. Dhe pse kundërshtari duket i vështirë në letër, sërish Vllaznia ka besimin se do bëjë më të mirën ndaj rumunëve, duke marrë parasysh dhe frymën e mirë që ekziston brenda grupit.