Partizani do të luajë të mërkurën kundër Salzburgut në Austri, ndeshje e vlefshme për raundin e tretë eliminator të Champions League. Por të kuqtë duhet t'i bëjnë mirë llogaritë, pasi ditën e sotme është mësuar, që tre lojtarë të rëndësishëm të tij kanë probleme me lejekalimin për në Austri, pasi ambasada austriake po vonon vizat e tyre. Kështu që në qoftë se problemi për këta lojtarë nuk do të rregullohet së shpejti, atëherë tekniku italian Adolfo Sormani duhet të bëjë ndryshimë në formacion.
Futbollistët që mund të mungojnë janë Labinot Ibrahimi, Ylber Ramadani dhe Sodiq Atanda. Dy të parët janë pjesë e formacionit kryesor, dhe kështu që italiani do të mendojë për zëvendësit e tyre. Duke qenë se edhe mbrojtësi i majtë Kalari është i dënuar me kartonin e kuq, punët për Sormanin vështirësohen akoma më shumë në prapavijë pasi nuk ka mbrojtës në dispozicion. Në këtë mënyrë, në të majtë mund të luajë Hakaj, kurse në krahun e djathtë të mbrojtjes pritet të shihet me interes se cilin lojtar do të zgjedhë tekniku italian. Ndërsa vendin e Ramadanit e zë Batha, i cili ka luajtur gjatë gjithë sezonit të kaluar në atë pozicion.
