Klubi i Tiranës ka postuar një video në kanalet zyrtare të komunikimit, teksa iu bën thirrje mbështetësve të vet që të respektojnë me rigorozitet rregullat në këto ditë të vështira, me virusin vdekjeprurës që ka paralizuar jetën në vend.
Kryesuesit e Superligës kanë zgjedhur të bëjnë bashkë emocionet e këtij sezoni në 90 sekonda, teksa në video kanë zgjedhur të promovojnë të riun Muçi, me golin dhe emocionet në derbin kundër Partizanit. Një lloj reklame kjo për djaloshin që ka dalë nga Akademia bardheblu, duke treguar edhe njëherë se 24 herë kampionët e vendit po investojnë te të rinjtë e talentuar.
“Bashkë për një qëllim…për jetën. Slogani nuk ndryshon, por tashmë për një mision jetik për secilin nga ne. Vetëm në këtë mënyrë mund t’ia dalim. Tani bashkë për misionin e jetës, për të adhmen tonë. Bashkë për të respektuar me rigorozitet të gjitha masat e marra, që së shpejti të jemi përsëri kështu. Bashkë për të qëndruar në shtëpi e për ta mposhtur këtë virus. Misioni është i njëjtë për të gjithë. Na mungon futbolli, na mungojnë emocionet, stërvitjet. Na mungojnë +3 selfiet, stadiumi i mbushur plot”, shkruajnë bardheblutë, ndërsa në sfond është flamuri kuqezi.