Presidenti i Partizanit, Gazmend Demi ka treguar për RTSH Sport ecurinë e kompleksit të Partizanit, ndërsa ka cekur një sërrë temash, nga rinisja e sezonit, e deri te investimi zero nga Federata në Kompleksin e Kuq.
“Kjo nuk duhet të quhet shtëpia e re e Partizanit, por një investim për familjen e madhe të Partizanit. Do të jetë një investim i madh për shumë breza. Do jetë një vend ku do edukohen breza të ardhshëm. Përfitues në këtë do jetë zona atje që do rregullohet, do jenë ata që do punësohen, por një pjesë e vogël do jetë edhe Partizani, pasi siç e dimë të gjithë ne shumë gjëra i kemi me pagesa sot.
Ka pasur një investim zero nga Federata ose qeveria, për momentin nuk kemi marrë asgjë. Ajo tokë i është grabitur Partizanit dhe nuk mund të them se kemi përfituar me atë tokë. Nuk e kemi marrë bërë të bërë biznes. Investimi nga qeveria këtu ka qenë zero, nuk kemi pasur asnjë ndihmë nga ata.
Jam i mërzitur se Edi Rama i bëri skuadrat si fasoneri, por të gjithë kemi paguar për këto, dikush më shumë dhe dikush më pak. Shpresoj që ndeshjet në sezonin e ardhshëm t’i luajmë atje. Shpresoj që faza e parë të jetë përfunduar sa më shpejt. Klubi nuk mund të thotë një afat se kur do ketë përfunduar, por stadiumi është drejt përfundimit.
Sezoni aktual? Unë isha i mendimit që të ndërpritej kampionati, por Duka që ka më shumë informacion tha se do kemi një dënim nga UEFA nëse nuk vazhdojmë”, perfundoi Demi.