
Autoritetet franceze kanë arritur që të godasin grupin kriminal të “skifterëve shqiptarë” të cilët drejtoheshin nga Edison Pula.
Mësohet se në kuadër të këtij operacioni, kanë rënë në pranga ditën e djeshme pesë shqiptarë të cilët akuzohen se kanë vjedhur banesat e 50 personazheve VIP si futbollistë, pilotë të Formula Uno dhe këngëtarë të famshëm në Francë dhe Belgjikë.
“Skifterët” shqiptarë kishin shtrirë tentakulat e tyre midis Francës dhe Belgjikës dhe kishin në shënjestër, kryesisht figurat publike, të famshmit ose biznesmenët. Nga hetimet ka rezultuar se grupi kriminal i pagëzuar me emrin “Nikla”, ka vjedhur më shumë se 1 milionë euro, ku përfshihen bizhuteri dhe artikuj lëkure luksoze. Pasi janë vjedhur, sipas asaj që policia franceze ka bërë me dije, mallrat e vjedhura më pas janë shitur në Shqipëri.
Në kuadër të këtij operacioni janë arrestuar shtatë persona, mes tyre edhe kreu i kësaj bande, Edison Pula. Dy të parët u arrestuan më 20 janar në Luksemburg, ndërsa pesë të tjerët u kapën më 4 mars pranë Reims.
Edison Pula, nuk është një emër i panjohur për drejtësinë shqiptare, por jo vetëm. Ai njihet për arratisjet e shumta nga burgjet nëpër botë. Ai u arrestua më herët në Luksemburg, me qëllim ekstradimin e tij në Shqipëri pasi kërkohej për llogari të drejtësisë shqiptare.
Pula, i njohur edhe si anëtar i bandës së Niklës, është dënuar me 14 vjet burg për veprat penale "Vrasja me paramendim”, “Shkatërrimi i pronës me eksploziv”, “Vjedhja me dhunë”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Vjedhja” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.
30-vjeçari është akuzuar për atentatin me eksploziv ndaj Gentjan Bejtjes në Larushk si dhe për një sërë veprash të tjera penale.
Emri i shqiptarit u lakua gjerë e gjatë dhe në vitin 2022 për arratisjen spektakolare nga burgu në Itali. Ne qershor të atij viti, ai arriti që të arratisjen nga burgu i Trevisos duke vënë alarmin kështu në sistemin e sigurisë së burgjeve në vendin fqinj.
Mediat italiane raportuan aso kohe se Pula preu hekurat e qelisë së tij përmes një sharre. Policia dyshonte se shqiptarit iu dërgua sharra me një dron nga anëtarë të grupeve kriminale, të cilat sipas tyre kanë të bëjnë edhe me Ndraghetan.