Vesel Limaj është një nga lojtarët më të spikatur te Kukësi. Mesfushori është titullar kyç te verilindorët, tanimë gjendet në Gjermani i karantinuar.
Ai ka ngecur atje dhe ende s’e di se si do të kthehet. Në një lidhje të drejtëpërdrejtë me Fun Zone, Limaj u shpreh:
“Jam në kontakt me drejtuesit. Po pres që të gjej mundësinë për t’u rikthyer. Më kanë thënë që do të fillojmë shpejt. Ende s’kam gjetur me çfarë të vij.
Stërvitja? Jam stërvitur në mënyrë individuale. Kemi bërë edhe stërvitje online me trajnerin dhe grupin. Është e vështirë të mos bësh stërvitje në fushë dhe mos të kesh topin në këmbë.
Kampionati? Deri në dhjetor kemi bërë një kampionat të mirë. Nuk e di se për çfarë arsye, 9 pikë s’janë pak, por as shumë jo. Por deri sa matematika na lejon, s’duhet të bëjmë gabime më. Çdo futbollist apo çdo skuadër do të mbyllë kampionatin sepse janë dhe 10 ndeshje, janë edhe shumë pikë në lojë. Sa i përket deklaratës së presidentit, s’e kam lexuar. Nuk kam marrëdhënie me Safet Gjicin, nuk flas me të.
Performanca? Është kënaqësi të jesh kapiten i skuadër. Por, kjo ndodhi se mungonin Musolli dhe Et’hemi që gjej momentin për t’i përshëndetur këtu. Nuk më pëlqen të flas për vete. Ka të tjerë që më vlerësojnë mua.
Rifillimi në verë? Nuk kemi çfarë të bëjmë. Duhet të përballojmë gjithçka që do të vendoset. Problemi i vetëm janë dëmtimet sepse kemi qenë për shumë kohë larg fushës.
Kthimi në Shqipëri? S’kam informacion, pres vendimin e qeverisë se si do të procedohet. Karrierën time e kam nis në Gjermani dhe aty pashë që mund të ecja para në futboll. Më thanë që do të më çonin në Jordani. Ai menaxheri më tha të stërvitesh me Bylisin dhe më pas do të iknim me të në Jordani. Shkurt më tradhtoi menaxheri sepse prisja të iknim. Kurrë s’jam ndjerë i penduar.
E ardhmja? Ka pasur zëra rreth meje dhe kam lexuar që nga Kroacia ka pasur interes. Por, s’kam ditur gjë konkrete. Dua një kampionat më të fortë.
Kombëtarja? Është një ëndërr. E kam ëndërr të vesh fanelën kuqezi apo të përfaqësueses së Kosovës, nuk ka rëndësi.
Bundesliga? Jam tifoz me Bayern Munchen”, përfundoi ai.