Vllaznia do të përballet nesër në transfertë me Vorën, në kuadër të javës së 32-të të “Abissnet Superiore”. Sfida që do të zhvillohet në stadiumin e Vorës, do të nisë në orën 16:00. Në prag të këtij dueli ka folur edhe sulmuesi i shkodranëve, Edon Murataj.
“Vora është një ekip i fortë që nuk duhet nënvlerësuar. Por ne do të shkojmë nesër për maksimumin, për 3 pikët, asgjë më pak. Fillim i mirë nga Murataj, pastaj luhatje? Normal që jam i kënaqur se jam rikthyer. Kam pasur periudhë të vështirë me dëmtimet, por ndihem mirë. Jam gati për ta ndihmuar ekipin deri në fund. Sezoni i parë? Normalisht që kam pasur kohë për t’u ambientuar. Jam i kënaqur, por e di që mundem të bëj edhe më shumë për këtë ekip. Vllaznia në vend të parë? Sigurisht, ky është synimi ynë. Të shkojmë me një avantazh në Final Four. Synimi ynë është të shpallemi kampion, jemi në rrugën e duhur.
I kënaqur me kohën te Vllaznia? Kjo nuk është puna e ime, është më shumë puna e trajnerit. Provoj të jap maksimumin çdo ditë edhe çfarë bën trajneri është zgjedhja e tij. Çdo minutë që e marr, mundohem të jap maksimumin. Vllaznia pëson pak, por edhe shënon pak? Ne do të bëjmë maksimumin për të shënuar më shumë gola dhe të pësojmë pak. E rëndësishme është për të fituar, 3 pikët janë më të rëndësishme 1-0 apo 3-0 pikët janë të njëjta. Dëmtimet te Vllaznia? Të them të drejtën për dëmtimet unë nuk i di. Është stafi mjekësor që merret me to, unë nuk e di. Të gjithë lojtarët që janë në dispozicion, janë gati.
Presion titulli? S’e di a është presion. Por kemi pritshmëri, duhet të japim maksimumin. Jemi afër, por akoma nuk jemi aty. Të japim maksimumin, ishalla. Të mërkurën luani ndeshjen e kthimit në Kupë me Dinamon? Jemi në rrugën e duhur për të dy trofetë, pse mos t’i marrim të dyja? Ndeshje e vështirë me Dinamon, por le të marrim 3 pikë me Vorën si fillim. Me origjinë nga Puka, ti dhe Dodaj? Faleminderit. Unë me Kevin jemi shokë të ngushtë. Po mundohemi të dy të japim maksimumin në fushë, të ndihmojmë këtë ekip të bukur për të kapur ndonjë trofe. Shpresoj që mund t’ia arrij të jap kontribut për Pukën, do të ishte gjë e bukur.
Fund sezoni, dëshirë? Unë jam i kënaqur këtu në Shkodër, por akoma s’kemi folur për të ardhmen time. Jemi të fokusuar këtë sezon që të marrim atë që duhet të marrim. Gol nesër? Kismet, dua ta bëj një gol, por më të rëndësishme janë 3 pikët, jo kush bën golin. Nëse shënon, dedikimi? Po patjetër, e kam bërë gati. Do të jetë për familjen edhe për Shkodrën si gjithmonë”, tha Murataj.
