Vllaznia është tepër aktive në merkaton e verës, pasi përpos “spastrimeve”, shkodranët janë duke hedhur “themelet” për sezonin e ri duke pikasur lojtarë me peshë dhe që mund të rrisin nivelin e skuadrës së trajnerit Edi Martinit.
Burimet për Newsport raportojnë se kuqeblutë janë në bisedime për të rikthyer Herald Markun, momentalisht pa ekip pas eksperiencës së fundit që pati me Flamurtarin.
Nga ajo çfarë mësohet në bisedimet mes tyre, palët janë afër, edhe pse duhet theksuar se ende nuk ka një “dakordësi” të plotë për një marrëveshje totale. Gjithçka mbetet për t’u parë se çfarë do të prodhojë vazhdimësia e negociatave.
Këtë sezon, mesfushori zhvilloi 29 ndeshje me skuadrën vlonjate, ku shërbeu si lider i padiskutueshëm dhe shënoi 3 gola, ndërsa dhuroi e një asist.
Marku është një njohës i shkëlqyer në Superiore pasi ka spikatur më herët edhe me klubin e Partizanit, ndërsa më parë ka veshur edhe fanellën e të rinjve të Dinamos. Po ashtu, ai ka edhe eksperiencë ndërkombëtare me skuadra si UTA Arad në Rumani, Ludwigsfelde dhe Frankurt në Gjermani.
