Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

SUPERIORE

Tutat e Oltit

Shkruar nga NEWSPORT
Tutat e Oltit
Oltijon Kërnaja

Nga Retin TOKA

Ka disa histori që nuk kanë nevojë për shumë zbukurime. Sepse janë të vërteta. Dhe e vërteta, kur tregohet drejt, është gjithmonë e bukur. Siç thoshte Ernest Hemingëay: "Stili më i mirë është ai që nuk duket”.

Me Oltin nuk më lidh vetëm stadiumi. Madje, në fillim nuk kishte fare lidhje me futbollin. Ishte viti 2021 dhe unë po provoja një tjetër rrugë. Kisha vendosur të konkurroja në SPAK për hetues. Nuk ishte një dëshirë e lehtë, ishte një përballje me veten. Dhe aty, pa shumë fjalë, hyri Olti.

Takimi ynë nuk ishte në ndonjë zyrë apo kafene. Ishte në fushën e Laprakës. Aty ku ai stërviste fëmijët e vegjël. Mes zërave të tyre dhe topave që përplaseshin, ne bënim xhirot tona. Vraponte me mua. Krah për krah. Si një trajner, por më shumë si një njeri që të shtyn përpara pa të rënduar.

Kishte diçka shumë të thjeshtë dhe shumë të vërtetë në atë skenë. Si ato historitë që Tolstoy i ndërtonte me njerëz të zakonshëm, por që në fund mbajnë peshën më të madhe.

Kishte ditë kur mezi mbaja ritmin, ndërsa ai ishte aty, një hap para, një hap pas, por gjithmonë pranë. Në fund më thoshte vetëm një fjali: “Do ta marrësh”.

E thoshte qetë. Pa pompozitet. Dhe për një moment, koha i dha të drejtë. Provat fizike i kalova. Vrapin e mora duke përshkruar 2.4 km për 11 minuta. Shkova deri në fazën e fundit. Pastaj erdhën ato që shpesh nuk varen nga ti.

Nuk u pranova vetëm për 2… pikë. Dhe rruga ime u qëndroi aty ku kishte nisur: te gazetaria. 11 vite në profesion, tre vitet e fundit në drejtim. Një rikthim pa zhurmë, si një njeri që e njeh mirë terrenin e vet.

Sepse, në fund, siç do të thoshte Albert Kamy: "Lufta më e madhe është ajo që bën me veten”.

Ndërkohë, për Oltin erdhi shansi i madh. Stoli i Partizanit. Ose më mirë pankina, se ai nuk ishte rezervë. Një moment që e pret gjithë jeta. Në ndeshjen e parë doli me xhaketë. Dukej ndryshe. Por, shumë shpejt u kthye te tutat. Dhe aty e kuptova që gjithçka ishte në vendin e vet.

Sepse Olti nuk është për xhaketa. Është për tutat. Për fushën, për zërin nga pankina, për atë punën që nuk duket, por që mban gjithçka në këmbë.

E mori ekipin me 4 pikë dhe e çoi në vendin e katërt. Pa zhurmë. Pa premtime të mëdha. Me punë. Me ritëm. Si në Laprakë: hap pas hapi, pa u ndalur. Si ajo fjalia e thjeshtë e Johan Krujf: "Futbolli është i thjeshtë, por ta luash thjeshtë është gjëja më e vështirë”.

Dhe për mua bëri diçka që nuk e prisja. Më riktheu në stadium. Kisha tre vite që isha larg futbollit. Ishte zbehur ai pasion mes lajmeve, politikës, përditshmërisë. Por, një ditë u gjenda sërish në tribunë, për shkak të tij.

Isha aty në fitoren me Egnatian. Një ndeshje e bukur, nga ato që të mbajnë në këmbë. Duartrokitje në fushë, duartrokitje në tribunë. Dhe unë, pas shumë kohësh, po e shijoja sërish futbollin si dikur.

Pastaj erdhi fundi. I thanë që kishte ardhur koha të largohej. Të hiqte tutat. Në futboll kjo ndodh shpesh. Ndonjëherë shumë shpejt. Ndonjëherë edhe kur nuk e ke mbaruar ende atë që ke nisur. Sepse futbolli ynë ka një zakon të vjetër: kërkon rezultat të menjëhershëm dhe harron rrugën që të çon te ai.

Dhe ndonjëherë, pankinat ndërrohen më shpejt se sa ndryshon loja. Por bindshmërisht, ai do t’i veshë shumë shpejt sërish. Ernest Heminguej shkruante: "Njeriu mund të thyhet, por nuk mund të mposhtet”.

Dhe e di që shumë mund ta lexojnë këtë dhe të thonë: “Po i bën lavde.” Ndoshta. Por, nuk më intereson shumë si duket nga jashtë. Sepse kush nuk e njeh nga afër, e ka të lehtë të flasë. Ndërsa unë e kam parë në Laprakë, mes fëmijëve, pa kamera. E kam parë në pistë, kur lodhja të ndalon dhe ai prapë të shtyn. Dhe aty kuptohen njerëzit.

Sepse në fund, nuk është çfarë thua për dikë, por çfarë ke jetuar me të.

Olti la më shumë se pikë në tabelë. La punë. La respekt. La kujtime. Dhe për mua, la një mësim që nuk lidhet as me futbollin dhe as me gazetarinë: që rrugët nuk mbarojnë aty ku mendon.

Unë do ta provoj sërish. Ndoshta jo sot, ndoshta jo nesër. Por, do ta provoj dhe një ditë do ta fitoj atë garë që më mbeti pezull në “Play Off”.

Dhe jam i bindur për një gjë tjetër: edhe Olti do shkojë larg. Sepse njerëzit që dinë të vrapojnë në heshtje, zakonisht arrijnë më larg se të tjerët. Jo sepse bëjnë më shumë zhurmë, por sepse nuk ndalen. E thjeshtë. Kjo është fabula...

Poll

Lexo gjithashtu