Një skandal është denoncuar nga gazetari i kronikës, Flamur Nezaj, ku shfaqen disa të dënuar në një burg të sigurisë së lartë duke festuar brenda një qelie.
Ajo që e bën edhe më shqetësuese situatën është se, në pamjet e publikuara nga Nezaj, të burgosurit dyshohet se konsumojnë alkool dhe lëndë narkotike. Po ashtu, vërehet se një pjesë e mirë e tyre kanë edhe aparate telefonike në duar, ndërsa nuk mungojnë as video-telefonatat me persona të tjerë.
Nezaj pretendon se në video shfaqen persona të rrezikshëm si Lul Berisha, ish-presidenti i Korabit, Fehmi Mziu, Islam Kasa Alias “Mitralozi”, si dhe të besuar të Kel Arapit, përveç disa të dënuarve të tjerë.
Sipas gazetarit, këto pamje dyshohet se vijnë nga burgu i Peqinit, ndërsa pritet reagimi i autoriteteve, të cilat do të sqarojnë se ku ka ndodhur kjo festë brenda qelive të burgut.
“Në plan të parë, me bluzë blu, është Lulzim Berisha, i cili duket se është në rolin e kameramanit. Në tavolinë ka alkool dhe persona që e rrethojnë duke kërcyer. Mes tyre, personi me kostum të kuq është Astrit Avdyli”, tha gazetari.
