Ditën e nesërme do të zhvillohen të gjitha ndeshjet e javës së 34-të në Superiore, duke nisur prej orës 16:00. Dinamo do të pres Egnatian, Partizani “përplas brirët” ndaj Flamurtarit, Teuta në situatë “kritike” karshi Tiranës euforike, Vllaznia kërkon të “harrojë” humbjen në “Elbasan Arena” me Bylisin, kurse Vora sfidon Elbasanin kryesues.
Një detaj i fundit që ka shkaktuar mjaft habi, në bazë të pozicionimit dhe formës aktuale, ka të bëjë me bastet. Edhe pse Vora mban pozitën e 8-të në tabelë me 35 pikë, fitorja e ekipit të Arjan Bellai kuotohet me koeficientin 1.47, kundrejt 7.46 të Elbasanit kryesues, teksa barazimi përkon me 3.48.
Por kjo nuk është ndeshja e vetme me këtë “tablo” befasuese. Triumfi i Partizanit karshi Flamurtarit merr trajtë të “vështirë”, 5.18, ashtu siç rezulton në “letër” Teuta – Tirana.
