8 muaj më parë zgjodhi që të largohej nga kampionati italian për të provuar një eksperiencë në Shqipëri, ku firmosi për Flamurtarin. Alessandro Bolzan ka rrëfyer të gjithë prapaskenën e kësaj lëvizje të rëndësishme në karrierën e tij, si u njoh me interesimin e skuadrës vlonjate dhe në fund, të përbashkëtat mes ish-ekipit Cagliarit dhe kuqezinjve.
Në një intervistë të gjatë të dhënë për Centotrentuno, Bolzan shpjegon se gjithçka mes tij dhe Flamurtarit ndodhi në një kamp stërvitor dhe nuk e pati të vështirë që të thoshte “PO”-në përfundimtare.
“Ideja për të shkuar jashtë vendit, le të themi, nuk ishte e vështirë. Unë jam gati për çdo gjë nëse është zgjedhja më e mirë për mua. Në këtë rast, ishte Shqipëria, por nuk kam asnjë dyshim as për vendet e tjera: për mua, futbolli nuk mbaron në Itali. Mundësia në Shqipëri lindi gjatë kampit stërvitor, kur mbërriti kjo ofertë. E vlerësuam së bashku me agjentët e mi dhe familjen time, dhe vendosa të ndiqja këtë rrugë, edhe sepse mund të hapte diçka ndërkombëtare, duke qenë një përvojë jashtë vendit. Pra, ishte një vendim mjaft i lehtë. Ishim pothuajse në fund të kampionatit, kështu që e mora vendimin shumë shpejt”, u shpreh fillimisht sulmuesi.
Dëmtimet e shpeshta e kanë penalizuar shumë 21-vjeçarin, por kjo s’e ka penguar që t’ia nisë nga e para, madje duke u bërë akoma dhe më i fortë pasi në vazhdimësi Bolzan ka arritur të kontribuojë maksimalisht për të përmirësuar performancën në grup.
“Fatkeqësisht, ndodhi një dëmtim, rreth nëntorit, i cili ngadalësoi progresin tim. Isha jashtë për gati dy muaj për shkak të një operacioni në hernie inguinale. Ndodhi në kohën e duhur, sepse kishte ardhur një trajner italian. Francesco Moriero, i cili nuk ka nevojë për prezantim, më kishte dhënë besim. Kisha filluar të luaja vazhdimisht dhe po luaja mirë, me dy gola dhe një asist tashmë. Më duhej të ndalesha në momentin më të mirë. Pastaj, kur ndalesh, është gjithmonë e vështirë të fillosh përsëri. Nuk shkoi në mënyrën më të mirë për këtë arsye, por në përgjithësi jam mjaft i kënaqur me përvojën time të parë midis profesionistëve: arrita të shënoja pesë gola dhe të jepja disa asista”, shtoi më tej sulmuesi.
Flamurtari ndodhet në pozita të vështira, edhe pse fitorja e fundit përballë Dinamos u dha atyre një mundësi të dytë për të shpresuar për qëndrimin, pasi distanca me Tiranën e vendit të 7-të është vetëm 2 pikë. Kjo për djaloshin e talentuar nga Montevarchi është një sfidë e rëndësishme dhe ai beson se objektivi i mbijetesës mund të arrihet.
“Tani jemi duke luftuar për mbijetesë dhe shpresojmë ta arrijmë këtë qëllim në ndeshjet e ardhshme. Sa i përket ambientimit, jam i lumtur. Qyteti buzë detit më kujton pak Cagliarin dhe plazhin Poetto, është një vend i bukur për të qenë. Jam me fat sepse është një nga qytetet më të mira në bregdet, kështu që jeta jashtë fushës është e këndshme”, përfundoi Bolzan.
