Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

SUPERIORE

Humbjet me Dinamon dhe Elbasanin i përkasin së shkuarës, Gurishta me vlerësime për Bylis, por e thotë hapur: Duam tri pikët, tifozët meritojnë të gëzojnë

Shkruar nga NEWSPORT
Humbjet me Dinamon dhe Elbasanin i përkasin së shkuarës, Gurishta
Erdenis Gurishta

Vllaznia do të presë Bylisin në stadiumin "Loro Boriçi" për ndeshjen e javës së 34-të në Abissnet Superiore. Një duel me objektiva të ndryshëm për secilën prej skuadrave që do të zbresin në fushën e lojës vetëm për tre pikët.

Prag sfidës me ballshiotët, e përcaktuar për të nisur në orën 16:00, ka folur para mediave mbrojtësi Erdenis Gurishta. 

Ndeshja ndaj Bylisit në Shkodër, Vllaznia jo në momentin e saj më të mirë?

“Normalisht, ndoshta nuk është momenti më i mirë sepse në një hark kohor të një jave erdhën dy humbje, si eleminimi me Dinamon dhe humbja në kampionat me Elbasanin dhe mund të ndikojë te pjesa psikologjike por gjithsesi, jam munduar ta lë pas këtë humbje dhe për t’u fokusuar në ndeshjet e radhës sepse e dimë që asgjë s’ka mbaruar, jemi në lojë, jemi në lojë fuqishëm dhe duhet që medoemos të marrim tre pikët në ndeshjen e nesërme që të kthejmë moralin dhe të entuziasmin tek ekipi”.

Çfarë ndodhi në këto dy ndeshje? Mungesë përqëndrimi?

“Të them të drejtën këto janë ndeshje që bëjnë diferencën. Ndeshja me Dinamon ndoshta ishte ndeshja për barazim drejt shtesës. Ekipi që duhet të gabonte më pak do të fitonte. Ndodhi, një gabim i joni, një mungesë vendosje në ato momente erdhi dhe goli i Dinamos dhe u eleminuam, ndërsa ndeshja me Elbasanin e kishim përgatitur besoj në mënyrën e duhur, ndaj e filluam me mënyrën e duhur. Vetëm në ato momentet e para, na mungoi golin dhe po të shohësh që të vetmin rast nga Elbasani erdhi goli i tyre. Pastaj normalisht ndeshja merr rrjedhë tjetër sepse po të shkonte 1-0 për ne do të kishte rrjedhë tjetër. Gjithsesi ajo ndeshje iku, duhet ta harrojmë sa më shpejt sepse po të shohim dhe statistikat kemi luajtur shumë më mirë, kemi bërë 20 gjuajtje në portë, ndërsa kundërshtari ka bërë vetëm 4 dhe ka shënuar 4 gola, ndërsa ne 20 gjuajtje dhe kemi shënuar vetëm 1 gol. Gjithsesi nuk ka vend për zhgënjim, nuk ka vend për mërzitje, sepse kemi tre ndeshje në një hark kohor të një jave dhe pastaj kemi final four”.

Nesër nuk lejohet barazimi, vetëm tre pikët për objektivat e të dyja skuadrave?

“Shiko, nëse ne e shohim Ballshin në tabelën e klasifikimit kemi bërë gabimin më të madh sepse edhe përvoja ime në gjithë këto vite ka treguar që ato ekipe që janë poshtë tabelës së renditjes dhe që shikohen si të lehta në letër, në qoftë se nuk ke vlerësimin maksimal ose nëse nuk ke përqëndrimin dhe seriozitetin e duhur gjatë ndeshjes, ndeshjet bëhen shumë të vështira. Mendoj se Ballshi meriton vlerësim maksimal se ka lojtarë cilësor brenda ekipit të saj që mund të të bëjnë dëm në çdo moment, por për ne nesër është i vlefshëm tre pikëshi dhe do ta marrim me çdo kusht tre pikëshin”.

Të gjitha ekipet në Superiore luajnë me llogari, po Vllaznia i ka bërë të sajat?

“Që nga fillimi i kampionatit e deri më tani, kemi luajtur vetëm, do të vazhdojmë të luajmë vetëm. Në qoftë se e meritojmë titullin kampion do ta marrim pa i thënë faleminderit asnjë ekipi sepse ne jemi vetëm, në fushën e lojës dhe përgjatë gjithë sezonit mendoj se e kemi merituar të jemi në krye të tabelës sepse kemi qenë shumicën e kohës në krye të tabelës. Ndoshta herë pas here për gabimet tona apo për mungesë të përqëndrimit e kemi humbur vendin e parë. Por gjithsesi jemi në lojë për vendin e parë, s’na interesojnë ekipet e tjera. S’na interesojnë nëse ekipet e tjera bëjnë llogari. Ne jemi në lojë për 9 pikë dhe në qoftë se i marrim të gjitha 9 pikët jam i sigurt që jemi në vendin e parë dhe shkojmë në final four me motivimin krejt tjetër dhe me një moral krejt tjetër."

Keni tifozët pranë?

“Padiskutim, tifozeria është zemra e ekipit. Sigurisht që mbështetja e tyre për Vllazninë është dashuri pa kushte. Dua të gjej rastin dhe ti falenderoj sepse që nga fillimi i sezonit dhe deri më tani kanë qenë pranë ekipit, si në vështirësi, si në kohë të mira si në kohë të këqija. Ndoshta herë pas here mund të kenë lënë dhe punët e tyre, familjet e tyre me qenë pranë ekipit. Normalisht e gjej rastin dhe i falenderoj dhe besoj se gjithsecili nga çunat duhet të japin makimumin që në këto ndeshje të gëzojmë pikë së pari veten tonë, familjet tona dhe tifozëve të mrekullueshëm që e meritojnë të gëzojnë pas shumë vitesh”.     

Poll

Lexo gjithashtu