Tirana – Partizani e ka dëshmuar dhe vazhdon të jetë kështu, si ndeshja “vitrinë” e elitës për klube në futbollin shqiptar. Rasti më i “freskët” ishte spektakli i së shtunës, ku bardheblutë fituan mes spektaklit dhe përmbysjes në impiantin modern të “Air Albania”.
Mediumi grek “gazzetta.gr”, i ka kushtuar një artikull të veçantë derbit Tirana – Partizani, duke e “zbërthyer” në “tablo” të ndryshme, madje duke e konsideruar si një nga më të “rëndë” në Ballkan.
Po ashtu, trajtohet themelimi i tyre e ndarja sociale, mes “krenarisë lokale” dhe “disiplinës e pushtetit shtetëror”.
“Derbi midis KF Tirana dhe Partizani mbart dallime historike, tensione sociale dhe episode. Nuk është vetëm ndeshja më e rëndësishme e futbollit në Shqipëri.
Është një hendek social dhe historik e shprehur përmes 90 minutash intensiteti, pasioni dhe shpesh rivaliteti të ashpër. Thelbi i konfliktit qëndron në atë që përfaqëson secili klub.
KF Tirana, e themeluar në vitin 1920, është ekipi i ‘qytetit të vjetër’, i borgjezisë, traditës dhe identitetit lokal. FK Partizani lindi në vitin 1946 si një krijim i regjimit komunist, i lidhur ngushtë me ushtrinë dhe pushtetin shtetëror.
Për dekada të tëra, të dy ekipet nuk ishin thjesht rivale, ato ishin dy botë të ndryshme. Nga njëra anë, pavarësia dhe krenaria lokale, nga ana tjetër, disiplina dhe pushteti shtetëror”, pjesë nga artikulli i “gazzetta.gr”.
