Partizani prej ditësh vazhdon përgatitjet për finalen e titullit kampion, sfidë që do të luhet në “Air Albania” ditën e dielë në orën 19:00. Egnatia është kundërshtari i tyre, një rival jo shumë i këndshëm për demat, të cilët duhet të marrin mirë masat ndaj tyre.
Gjithsesi kryeqytetasit po përgatiten për çdo situatë të mundshme që mund të sjellë finalja. Madje edhe për goditjen e 11-metërshave. Në fakt kampionët aktualë “kryqëzojnë gishtat" që sfida të mos vendoset nga penalltitë, pasi “reuleta ruse” është tersi i kryeqytetasve.
Pikërisht në sfidat që kanë shkuar në goditjen e 11-metërshave, demat kanë humbur në 4 të fundit. 3 janë në Kupën e Shqipërisë, përkatësisht ndaj Laçit më 17 mars 2021 (3-4), ndaj Vllaznisë më 12 prill 2022 (4-5) dhe së fundmi me Kukësin (3-5). Një tjetër duel që Partizani ka dalë i mposhtur nga penalltitë është ndaj Saburtalos (4-5) më 14 korrik 2022, teksa triumfi i fundit nga “ruleta ruse" është ndaj Ferencvaros në vitin 2016 në triumfin historik në kompeticionet europiane që të gjithë e mbajmë mend.