
Bylis dhe Laçi kanë barazuar në ndeshjen e vlefshme për javën e 30-të të Superiores. Sfida e zhvilluar në stadiumin “Adush Muça” të Ballshit, përfundoi me rezultatin 0-0. Në përfundim të këtij dueli ka folur trajneri i Bylisit, Gentian Mezani.
“Nuk është se bëmë një ndeshje aq të mirë them unë. Ishte një ndeshje në shtëpi dhe s'duhet të falnim, na bënte punë vetëm 3 pikëshi. Mund të kemi bërë deri diku një lojë të mirë, por në pjesën e parë kemi pasur shumë pak raste për gol. Për këtë arsye e ndryshova skemën në pjesën e dytë pasi kishim pak forca në zonën e kundërshtarit, por ky është futbolli. Unë mendoj që jam energjik, nuk është se jam i qetë, janë emocionet e lojës. Padiskutim që kisha pakënaqësitë e mia me arbitrimin, por secili të bëjë punën e tij. Unë duhet të shoh skuadrën time, lojtarët e mi dhe të përmirësohemi e të mendojmë për ndeshjen e radhës.
Pjesa e dytë? Kishim vështirësi sepse Laçi mbronte mirë dhe kthehej shpejt. Përgjoni kërkonte që të bënte diçka, por mbështetja e Goxhit ishte jo e duhura, vonohej krosimi. E kam kërkuar këtë në pjesën e dytë, por ishte edhe loja e kundërshtarit që nuk na e lejonte. Plus kam pakënaqësitë e mia me lojtarët që futen në pjesnë e dytë, pasi nuk i japin lojës një marsh tjetër. Në ndeshje të tilla, direkte si me Laçin, skuadra në pjesën e parë kishte më shumë presion se në të dytën. Janë ndeshje që skuadra ka pësuar gol në minutat e para, është dashur edhe ky aspekt për t’u thyer, kjo na penalizoi pak. Nuk është kjo ndeshja më e mirë, kemi bërë më mirë. Çunat ta kuptojnë që është faza finale”, u shpreh Mezani.